TikTok gjobitet me 12.7 milionë paund për dështimin në mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve 

 

TikTok është gjobitur me 12.7 milionë paund për dështimin në mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve,  ka deklaruar mbikëqyrësi i të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar.

Një hetim i kryer nga Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO) zbuloi se aplikacioni për shpërndarjen e videove shkel ligjin për mbrojtjen e të dhënave, duke shtuar se shkeljet kanë ndodhur midis majit 2018 dhe korrikut 2020. Në shtator, ICO-ja i dërgoi TikTok-ut një njoftim, i cili e paralajmëronte për dhënien e një gjobe të mundshme.

ICO vlerëson se TikTok-u lejoi deri në 1.4 milionë fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar nën 13-vjeç të përdorin platformën e tij në vitin 2020, pavarësisht rregullave që nuk lejojnë fëmijët e kësaj moshe të krijojnë llogari. Ligji për mbrojtjen e të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar thotë se platformat që përdorin të dhëna personale kur ofrojnë informacion për fëmijët nën moshën 13-vjeçare duhet të kenë pëlqimin e prindërve.

Komisioneri për informacion, John Edwards, tha se “ka ligje në fuqi që sigurojnë që fëmijët tanë të jenë po aq të sigurt në botën digjitale – sa janë në botën fizike. TikTok nuk iu përmbajt këtyre ligjeve”.

“Si pasojë, rreth një milion fëmijëve nën moshën 13-vjeçare iu dha qasje në mënyrë të papërshtatshme në platformë, dhe TikTok-u mblodhi dhe përdori të dhënat e tyre personale. Kjo do të thotë se të dhënat e tyre mund të jenë përdorur për t’i gjurmuar dhe për t’i profilizuar ato, duke ofruar potencialisht përmbajtje të dëmshme dhe të papërshtatshme”.