Ushtria amerikane njoftoi se një avion luftarak rus u përplas me një dron amerikan duke bërë që ai të rrëzohet në Detin e Zi. Droni, sipas ushtrisë amerikane ishte në një mision rutinë në hapësirën ajrore ndërkombëtare kur dy avionë rusë u përpoqën ta kapnin atë.
Ushtria amerikane e cilësoi si të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm incidentin.
Komanda e Shteteve të Bashkuara në Evropë tha në një deklaratë nga Shtutgarti i Gjermanisë se avionic rus “Su-27” derdhi karburant dhe fluturoi disa herë përpara dronit amerikan MQ-9 përpara përplasjes.
Nga ana e saj, Ministria ruse e mbrojtjes mohoi se avioni i saj kishte patur kontakt me dronin, i cili tha se ishte rrëzuar pas “manovrimit të mprehtë”. Ai tha se droni ishte zbuluar pranë gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014. Rusia akuzoi SHBA-në se ka shkelur kufijtë e hapësirës së përkohshme të saj ajrore “të krijuar për shkak të operacionit të posaçëm ushtarak”, apo për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Moska tha se ngriti në ajër avionët pasi u detektua droni, por për shkak të manovrimit të shpejtë, droni MQ-9 “nisi të bënte fluturim të pakontrolluar duke humbur lartësinë dhe u përplas me sipërfaqen e ujit”.
Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s për Evropë, gjenerali i ushtrisë amerikane Christopher Cavoli, informoi aleatët e NATO-s për incidentin.
Ky ishte episodi i parë i tillë që nga pushtimi rus në Ukrainë pak më shumë se një vit më parë.
Departamenti Amerikan i Shtetit thirri ambasadorin rus për të protestuar për rrëzimin e dronit, ndërsa Ambasadori i SHBA-së në Moskë i ka përcjellë një mesazh të fortë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, u tha zëqdhënësi i Shtëpisë së Bardhe gazetarëve.
Incidenti ndodhi ndërsa trupat ruse intensifikuan valën e luftimeve përgjatë vijës së frontit në Ukrainën lindore dhe presidenti Vladimir Putin ripohoi pikëpamjen e tij se vetë ekzistenca e Rusisë si shtet ishte në rrezik, në luftë.