Të krishterët palestinezë presin Pashkën më mes të luftës

 

Qindra palestinezë të krishterë morën pjesë në meshën e së Premtes së Mirë në Gazë, ndërsa kanë gjetur strehim në kishën katolike të territorit për t’iu shmangur bombardimeve të Izraelit. Ushtria izraelite ka publikuar sërish imazhe të ofensivës së saj në Gazë duke thënë se ka vënë në shënjestër infrastrukturën që përdoret nga Hamasi dhe një tunel. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë kryer fluturime mbi Gazë për të lëshuar nga ajri të ndihmave humanitare tejet të nevojshme për popullatën civile.

Dhjetra të krishterë të strehuar në Kishën e Familjes së Shenjtë në Gazë u mblodhën për të marrë pjesë në meshën e së Premtes së Mirë.

Rreth 600 njerëz jetojnë në kompleksin e kishës, ku kanë kërkuar strehim pas shpërthimit të luftës Izrael-Hamas më 7 tetor, tha drejtori i strehës së kishës, George Antoun.

“Ne përballemi me frikën e përditshme të bombardimeve të Izraelit dhe snajperëve. Ne gjithashtu përballemi me urinë që ekziston në vend”, tha ai.

Sipas raportit ndërkombëtar të lirisë fetare të Departamentit të Shtetit për vitin 2022, rreth 1,300 të krishterë jetonin në Gazë dhe rreth 50,000 palestinezë të krishterë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem.

Ndërkohë, Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara kryen operacione ajrore nga një vend i pazbuluar mbi Gazë të premten.

Operacionet amerikane përfshinë aeroplanë C-17 dhe personel me ekspertizë nga Baza e Përbashkët ‘Charleston’ e Karolinës së Jugut për të përshpejtuar shpërndarjen e ndihmave për civilët e prekur nga konflikti i vazhdueshëm në Gazë. Shtetet e Bashkuara kanë kryer 18 misione të kombinuara ajrore që nga 2 marsi për të ndihmuar popullsinë civile në Gazë.

Ndërkaq Izraeli ka vazhduar me ofensivën kundër grupit militant palestinez, Hamas, të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë përcaktuar si organizatë terroriste.

Imazhet e publikuara nga ushtria izraelite sot (të shtunën) thuhet se tregojnë atë që ushtria izraelite i përshkroi si sulme ndaj objektivave të Hamasit në Gazë.

Ushtria i përshkroi objektivat si “infrastrukturë” që përdoren nga Hamasi dhe një “hyrje tuneli”.

Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ njoftoi se nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur vendndodhjen ose datën kur u filmua video.

Izraeli thotë se ka në shënjestër militantët e Hamasit që përdorin ndërtesat civile, duke përfshirë blloqe apartamentesh dhe spitale. Hamasi i mohon këto akuza.

Lufta shpërtheu më 7 tetor pasi militantët e Hamasit sulmuan Izraelin dhe vranë 1200 njerëz dhe kapën 253 pengje, sipas të dhënave izraelite.

Izraeli është kundërpërgjigjur duke nisur një sulm ajror dhe tokësor ndaj Hamasit në Rripin e Gazës që sipas të dhënave të pakonfirmuara në mënyrë të pavarur të autoriteteve shëndetësore të Hamasit, ka vrarë më shumë se 32,000 njerëz. /VOA