Vendet e huaja po nxitojnë të largojnë qytetarët e tyre nga Sudani, ndërsa fraksionet ushtarake rivale luftojnë në kryeqytetin Khartoum.
Një aeroplan i forcave ajrore gjermane me 101 persona të evakuuar nga Sudani u ul në Berlin herët mëngjesin e së hënës. Grupi i parë u kthye në Berlin me një Airbus A321 nga baza Al Azrak në Jordani, e cila po përdoret si qendër për operacionin e evakuimit. Ushtria gjermane nuk dha asnjë detaj se sa nga të evakuuarit ishin shtetas gjermanë ose shtetas nga vende të tjera.
Gjithashtu një grup i dytë shtetasish grekë u evakuuan nga Sudani. “10 grekë të tjerë dhe familjarët e tyre u evakuuan nga Sudani, në këtë rast me ndihmën e Italisë. Ata tashmë janë në Xhibuti dhe të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore”, shkroi Nikos Dendias në Tëitter. Nga ana tjetër edhe avioni i parë italian C-130 me disa shtetas dhe familjarët e tyre u evakuan nga Sudani falë bashkëpunimit me forcat e armatosura spanjolle. “Pas një dite pritjeje me ankth, të gjithë bashkatdhetarët tanë në Sudan janë evakuuar. Me ta ka edhe shtetas të huaj. Italia nuk lë askënd pas”, tha kryeministrja Giorgia Meloni.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se forcat speciale duke përdorur helikopterët MH-47 Chinook hynë në kryeqytetin e goditur nga beteja e Sudanit nga një bazë amerikane në Xhibuti për të evakuuar 100 njerëz. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak tha në Tëitter të dielën se anëtarët e forcave të armatosura të vendit të tij kishin përfunduar një evakuim kompleks dhe të shpejtë të diplomatëve britanikë dhe familjeve të tyre nga Sudani.
Kolona të gjata automjetesh dhe autobusësh të OKB-së u panë duke u larguar nga Khartoum duke u nisur drejt lindjes së Portit të Sudanit në Detin e Kuq, 850 km për të transportuar qytetarë nga e gjithë bota. Rreth 100 persona u larguan nga Khartoum me avionë ushtarakë spanjollë dhe pjesa tjetër nga Portugalia, Polonia, Irlanda, Meksika, Venezuela, Kolumbia dhe Argjentina.
Miliona banorë në Sudan janë bllokuar brenda shtëpive të tyre, shumë prej të cilëve nuk kanë ujë dhe ushqim. Shpërthimi i luftimeve më 15 prill midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë ka shkaktuar një krizë humanitare, ka vrarë të paktën 420 njerëz dhe ka lënë pas ndërtesa të shkatërruara dhe dyqane që janë plaçkitur dhe djegur. Bombardimet pothuajse të vazhdueshme kanë ndërprerë edhe energjinë elektrike për pjesën më të madhe të popullsisë. Disa armëpushime që në dukje ishin rënë dakord nga të dyja palët u injoruan, duke përfshirë edhe një pauzë tre-ditore për të shënuar festën myslimane të Fitër Bajramit. OKB-ja ka paralajmëruar se deri në 20,000 njerëz kryesisht gra dhe fëmijë kanë ikur nga Sudani për të kërkuar siguri në Çad, përtej kufirit nga Darfuri.