Talebanët: Vendimi që gratë të mos punojnë në OKB, një çështje e brendshme

 

Administrata e talibanëve ka deklaruar se vendimi që gratë afgane të mos lejohen të punojnë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), është“një çështje e brendshme”, pasi organizata me shtrirje globale shprehu shqetësim për situatën e krijuar dhe njoftoi se do të rishikojë vendimin për të zhvilluar projekte në Afganistan.

Pas vërejtjes së OKB-së për kufizimet e reja që u vendosën javën e kaluar, Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i talibanëve, tha të mërkurën se ky vendim duhet të respektohet nga të gjitha palët. Duke qenë se vendimi do të shkelte statutin e saj, OKB-ja ka deklaruar se nuk mund ta pranojnë atë. OKB-ja u ka kërkuar të gjithë punonjësve të saj që të mos punojnë në zyrat e organizatës deri më 5 maj, teksa organizata po kryen konsultime dhe rishikon operacionet e saj.

Misioni i OKB-së në Afganistan tha se administrata talibane do të jetë përgjegjëse për çdo ndikim negativ humanitar në këtë proces. Në një deklaratë, Mujahid akuzoi qeveritë e huaja për situatën humanitare të shkaktuar nga sanksionet e vendosura ndaj sektorit bankar dhe ngrirjes së aseteve të Bankës Qendrore afgane – që gjenden jashtë vendit – teksa disa prej këtyre aseteve janë vendosur në një fond mirëbesimi zviceran.

Disa diplomatë dhe zyrtarë të ndihmës në Afganistan si dhe në mbarë botën kanë shprehur shqetësimin se donatorët do të tërheqin mbështetjen për programin më të madh të ndihmës humanitare në Afganistan dhe se zbatimi i programeve dhe komunikimi me gratë dhe vajzat në këtë vend konservator do të jetë i pamundur nëse grave u ndalohet puna në OKB.