Qeveritë në mbarë botën kanë dënuar sulmet ndaj Izraelit, duke përfshirë SHBA-në, Francën dhe Gjermaninë.
Brazili, i cili aktualisht ka presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se do të thërriste një takim urgjent për të diskutuar përshkallëzimin e madh të tensioneve.
Forca paqeruajtëse e OKB-së në Libanin jugor ka thënë se po rrit gjithashtu praninë e saj pranë kufirit me Izraelin si rezultat i dhunës. Kryeministri britanik Rishi Sunak u shpreh i tronditur nga zhvillimet e mëngjesit të qytetarëve izraelitë.
Sigurisht që nuk është rastësi që sulmi masiv i nisur nga militantët e Hamasit në Rripin e Gazës dhe brenda Shtetit Hebre ndodh ndërkohë që po zhvillohen negociatat për një marrëveshje historike midis Izraelit dhe Arabisë Saudite në të cilën merr pjesë Autoriteti Kombëtar Palestinez, që ka qeverisur territoret autonome palestineze në Bregun Perëndimor që nga viti 1993. Izraeli ka zhvilluar katër luftëra me militantët palestinezë në Rripin e Gazës që kur forcat dhe kolonët e tij u tërhoqën nga ky territor më 2005. Luftërat janë zhvilluar më 2008, 2012, 2014 dhe 2021.