Sulmet ajrore izraelite, 15 persona humbin jetën në Rripin e Gazës

Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Rripin e Gazës njoftoi vdekjen e 15 personave si pasojë e sulmeve ajrore izraelite gjatë natës. Sulmet vijnë në kuadër të zgjerimit të operacioneve ushtarake izraelite, pothuajse 21 muaj pas fillimit të luftës me Hamasin.

Mohammad al-Mughayir, zyrtar i Mbrojtjes Civile, tha se shtatë persona, përfshirë një fëmijë, u vranë në një sulm ndaj tendave që strehojnë njerëz të zhvendosur pranë Khan Younis në jug të Gazës. Tetë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën në dy sulme të tjera në kampe me tenda në zonën bregdetare pranë qytetit.

Ushtria izraelite, në një komunikatë për AFP-në, nuk dha detaje për sulmet specifike, duke thënë se po vijon operacionet për të çmontuar kapacitetet ushtarake të Hamasit.

Për shkak të kufizimeve të medias në Rripin e Gazës dhe vështirësive për verifikim të pavarur, raportet mbeten të vështira për t’u konfirmuar nga burime të jashtme. Mbrojtja Civile njoftoi dje 73 të vdekur nga sulmet izraelite.

Lufta në Gaza nisi më 7 tetor 2023, pas një sulmi të Hamasit ndaj Izraelit që shkaktoi 1,219 viktima izraelite, shumica civile. Nga 251 persona të rrëmbyer nga Hamas, 49 mbeten pengje, nga të cilët 27 janë shpallur të vdekur nga ushtria izraelite.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së kontrolluar nga Hamasi, të paktën 57,130 palestinezë, kryesisht civilë, kanë humbur jetën në fushatën ushtarake izraelite në Gaza, shifra që vlerësohet si e besueshme nga OKB-ja.