Sulm rus në Sumi, mbi 30 të vdekur mes tyre dhe fëmijë, BE: Barbarizëm, duhet urgjent armëpushim
Një sulm me raketa i ushtrisë ruse në qytetin Sumi të Ukrainës ka shkaktuar një masakër të rëndë, duke lënë të paktën 32 persona të vdekur, përfshirë dy fëmijë, dhe dhjetëra të plagosur. Sulmi ndodhi në mëngjesin e së dielës, në një moment kur qytetarët ishin mbledhur paqësisht për të festuar të Dielën e Palmave.
Reagimet ndërkombëtare kanë qenë të ashpra, me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që e quajti sulmin “barbar” dhe kërkoi masa të menjëhershme për ndalimin e luftimeve.
“Këtë mëngjes, mizoria ruse goditi përsëri, duke vrarë burra, gra dhe fëmijë në qytetin e Sumi. Një sulm barbar, i bërë edhe më i poshtër nga fakti se njerëzit ishin mbledhur paqësisht për të festuar të Dielën e Palmave. Nevojiten urgjentisht masa të forta për të zbatuar një armëpushim”, shkroi Von der Leyen në rrjetet sociale.