Sulm me thikë në Austri, 14-vjeçari humb jetën, disa të tjerë të plagosur! Dëshmitari përplas me makinë autorin
Austria është tronditur nga një sulm me thikë, ku një 14-vjeçar ka mbetur i vrarë, ndërsa katër të rinj të tjerë janë plagosur në qytetin Villach, në jug të vendit.
Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, pranë sheshit kryesor, pak para orës 16:00, kur një 23-vjeçar sirian me leje qëndrimi sulmoi kalimtarët me thikë. Viktimat janë të moshës 14 deri në 23 vjeç.
Sipas mediave vendase, një dëshmitar i sulmit, duke parë skenën e tmerrshme, përplasi me makinë autorin, duke ndihmuar në arrestimin e tij nga policia.
Autoritetet po vijojnë hetimet, për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të përjashtuar mundësinë e ndonjë bashkëpunëtori.