Sulm i përgjakshëm në Amsterdam, pesë të plagosur në sheshin Dam! Autori arrestohet nga policia

Një sulm i rëndë me thikë ka ndodhur këtë pasdite në sheshin Dam të Amsterdamit, duke shkaktuar plagosjen e disa personave. Incidenti ndodhi rreth orës 15:30, përpara Pallatit Mbretëror, një zonë mjaft e frekuentuar nga turistët dhe banorët e kryeqytetit holandez.

Sipas raportimeve të mediave vendase, nga sulmi janë plagosur pesë persona, ndërsa autori është arrestuar nga policia. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, por një zëdhënës i policisë ka deklaruar se hetimet po vijojnë intensivisht për të zbardhur rrethanat.

Fillimisht, autoritetet lokale dyshuan se bëhej fjalë për një grabitje, por detaje të mëtejshme pritet të konfirmohen nga hetimet në vijim. Ndërkohë, zona është rrethuar nga forcat e rendit, ndërsa të plagosurit janë transportuar për ndihmë mjekësore.