Situata në Ukrainë/ Stoltenberg bën thirrje: Të përshpejtohet anëtarësimi i Suedisë e Finlandës në NATO

Gjatë një takimi me kryeministren e Finlandës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg bëri thirrje për përshpejtimin e anëtarësimit të Suedisë e Finlandës në aleancë. Ai theksoi, ndër të tjera, se me rëndësi tani është që NATO të vijojë mbështetjen ndaj Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg rikonfirmoi këtë të martë mbështetjen e aleancës për Ukrainën. Duke folur në Helsinki, pas takimit me kryeministren e Finlandës, zoti Stoltenberg bëri thirrje për përshpejtimin e ratifikimit për anëtarësimin Suedisë dhe Finlandës në NATO.

“Me rëndësi tani është të mbështesim Ukrainën. Askush nuk e di me siguri se kur do të mbarojë lufta, por kur të mbarojë, ne duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet, që Presidenti Putin të mos ketë mundësi të sulmojë fqinjët. Prandaj, duhet të forcojmë aftësitë ushtarake të Ukrainës, por njëherësh të ndërtojmë një strukturë të tillë që siguron se Presidenti Putin nuk do të sulmojë dot më përsëri Ukrainën”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s .

Zoti Stoltenberg tha se detyra e NATO-s është të shmangë përshkallëzimin e situatës.

“NATO ka edhe një tjetër detyrë, të shmang përshkallëzimin e situatës, të parandalojë që kjo të kthehet në një luftë mes Rusisë dhe NATO-s”, tha ai.

Kryeministrja e Finlandës Sana Marin tha se vonesat nga parlamentet e Turqisë dhe Hungarisë për ratifikimin e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO po dëmtojnë politikën e dyerve të hapura të aleancës.

“E gjithë kjo lidhet me besueshmërinë e NATO-s, sepse ne i përmbushin të gjitha krieteret. Por siç e përmendi zoti Stoltenberg, procesi është në duart e Turqisë dhe Hungarisë dhe ne po presim që ata ta finalizojnë atë. Pa vonesë dhe me shpresën që të përmbyllet përpara takimit të kësaj vere. Nuk mund ta dimë. Është në duart e tyre”, tha Sana Marin , Kryeministre e Finlandës

Suedia dhe Finlanda paraqitën vitin e kaluar kërkesën për t’u bashkuar me aleancën transatlantike pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës. Por që të bëhet anëtarësimi, duhet të ratifikohet nga 30 anëtarët e NATO-s. Procesi i ratifikimit nga Hungaria është bllokuar në parlament që prej korrikut dhe kryeministri Viktor Orban ka shprehur shqetësime rreth anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Nga ana tjetër Suedia është përballur me kundërshtime nga Turqia për shkak të strehimit të atyre që Ankaraja thotë se janë anëtarë të grupeve terroriste.voa

Check Also

Vajza transgjinore e Musk njofton largimin pas fitores së Trump: Nuk e shoh të ardhmen time në SHBA

“Unë nuk e shoh të ardhmen time në Shtetet e Bashkuara”. Kështu është shprehur Vivian …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *