Shefi i OBSH-së thirrje Izraelit: Urgjentisht mundësoni hyrjen në spitalin Al-Shifa në Gaza
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus i kërkoi Izraelit të dielën që të mundësojë urgjentisht hyrjen në spitalin Al-Shifa në Gaza dhe të krijojë një korridor humanitar.
“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të lehtësojë urgjentisht aksesin dhe një korridor humanitar, në mënyrë që OBSH dhe partnerët të mund të kryejnë transferimin e pacientëve për shpëtimin e jetës,” tha Tedros në X.
Ai tha se 21 pacientë kanë vdekur që kur Spitali Al-Shifa u rrethua më 18 mars, me armiqësitë që vazhdojnë në afërsi të tij, sipas përditësimeve nga një punonjës shëndetësor në objekt.
“107 pacientë janë në një godinë joadekuate, brenda kompleksit të spitalit, të cilëve u mungon mbështetja e nevojshme shëndetësore, kujdesi mjekësor dhe furnizimet. Pacientët janë zhvendosur disa herë brenda kompleksit të spitalit që nga fillimi i rrethimit. Në mesin e pacientëve janë 4 fëmijë dhe 28 pacientë kritikë të cilëve u mungojnë mjetet e nevojshme të kujdesit pa pelena, qese me urinë, ujë për të pastruar plagët. Shumë prej tyre kanë plagë të infektuara dhe janë të dehidratuar,” shtoi ai.
Tedros tha se që nga dje, tani ka vetëm një shishe ujë në dispozicion për çdo 15 persona, duke çuar në përhapjen e shpejtë të sëmundjeve ngjitëse për shkak të kushteve shumë josanitare dhe mungesës së ujit. Ai shtoi se mungesa e madhe e ushqimit përbën një rrezik kritik, veçanërisht për pacientët diabetikë, shëndeti i të cilëve po përkeqësohet.
“E përsërisim: çdo moment ka rëndësi. Armëpushimi”, tha ai.