SHBA tërhiqet sërish nga organizata, e akuzon për paragjykime ndaj Izraelit

Shtetet e Bashkuara njoftuan sot se do të tërhiqen përsëri nga Organizata Kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, duke akuzuar organizatën për promovim të çështjeve “përçarëse” dhe për paragjykime ndaj Izraelit, një aleat i ngushtë i Uashingtonit.

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, reagoi duke shprehur trishtim për vendimin, por theksoi se kjo tërheqje ishte e pritshme dhe UNESCO është e përgatitur për këtë hap.

Shtetet e Bashkuara, që në vitin 2017 tërhoqën për herë të parë anëtarësinë në UNESCO gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, argumentojnë se pjesëmarrja në këtë organizatë nuk është në interes kombëtar.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, theksoi se vendimi i UNESCO-s për të pranuar “shtetin palestinez” si anëtar ka nxitur retorikë anti-Izrael brenda organizatës dhe është në kundërshtim me politikën amerikane. Tërheqja e SHBA-së do të hyjë në fuqi më 31 dhjetor 2026.