SHBA-të mohojnë përfshirjen në sulmin e militantëve të armatosur në qytetin rus Belgorod

Uashingtoni hedh poshtë akuzat e Rusisë se Shtetet e Bashkuara nxitën dhe organizuan sulmin e një grupi militantësh të armatosur në Belgorod, qytetin rus pranë kufirit me Ukrainën. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Methju Miller tha se Uashingtoni distancohet nga ky sulm. Sipas tij, Ukraina ka të drejtën e saj për të zgjedhur mënyrën e të luftuarit.

Moska publikoi pamje të automjeteve ushtarake Hamvi të prodhimit amerikan që u shkatërruan nga ushtria ruse gjatë bombardimeve të Martën të pozicioneve të militantëve të armatosur. Në këtë foto shfaqet një nga automjetet Hamvi me mbishkrimin “Për Bahmutin”, që nënkupton se sulmi mund të jetë kryer si kundërpërgjigje për marrjen e qytetit të Bahmutit nga njësia famëkeqe pro-ruse Vagner.

https://twitter.com/i/status/1661034574707847168

 Moska pretendon se vrau të paktën 70 militantë të Martën.  Këto filmime tregojnë se ata mbanin në krah flamurin ukrainas. Dyshohet se ata kanë hyrë nga territori ukrainas. Sipas Kremlinit, ata nuk ishin ukrainas por një grup i armatosur sabotatorësh brenda Rusisë, të quajtur “Legjioni për Lirinë e Rusisë”. Banorët e Belgorodit shprehen të shokuar pasi thonë se kurrë më parë nuk kishin përjetuar një sulm të tillë.