Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price gjatë një konference për shtyp është shprehur se SHBA-ja nuk pret asnjë dialog zyrtar nivelit të lartë me Rusinë në një të ardhme të afërt.
Deklarata vjen pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov biseduan shkurtimisht gjatë një takimi të diplomatëve të G20-ës në Indi.
NED PRICE ZËDHËNËSI I DEPARTAMENTIT TË SHTETIT: Ne nuk presim ndonjë dialog më zyrtar të nivelit të lartë në një afat të afërt. Natyrisht, ne do të mbetemi gjithmonë të hapur ndaj dialogut, ne besojmë në dialog, ne besojmë në diplomaci, veçanërisht edhe kur kohët janë të tensionuara, veçanërisht kur gjendja e marrëdhënieve tona është ashtu siç është tani. Ka çështje që kanë rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara, por edhe çështje që kanë rëndësi të thellë për pjesën tjetër të botës. Por nuk kishte asnjë marrëveshje apo konsensus që doli nga ai takim i shkurtër për çfarëdo lloj diskutimi vijues. Nuk ishte një takim dypalësh, nuk ishte një diskutim i zgjatur mes të dyve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i tha ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov që t’i jepte fund luftës në Ukrainë dhe i kërkoi Moskës ta anulonte vendimin për t’u tërhequr nga traktati për kontrollin e armëve bërthamore, START por nuk u angazhuan në asnjë lloj negociatash.
Ndërkaq në frontin e luftës Ukraina u ka thënë disa banorëve që të largohen nga Kupiansk, pasi Rusia kërkon të rimarrë qytetin. Ndërkohë, grupi Wagner ka bërë të ditur se trupat e tij kanë rrethuar Bakhmutin. Në fillim të kësaj jave, Presidenti Zelensky pranoi se situata në Bakhmut rreth 80 milje në jug të Kupiansk po bëhej “gjithnjë e më e vështirë”. Në Kupiansk, Administrata Ushtarake Rajonale e Kharkiv tha se urdhri i evakuimit ishte për shkak të “situatës së paqëndrueshme të sigurisë” të shkaktuar nga bombardimet ruse të qytetit dhe rrethinave të tij.
Forcat ruse vijojnë që të kryejnë sulme të kufizuara tokësore në veri-lindje të Kupiansk, si dhe operacione sulmuese rreth Kreminës, rreth 50 milje në jug. Ndërkaq kancelari gjerman Olaf Scholz, do të zhvillojë bisedime konfidenciale në Uashington me presidentin amerikan, Joe Biden, rreth luftës në Ukrainë , mes shqetësimeve në rritje se Kina mund t’i sigurojë armë Rusisë.