Autoritetet amerikane thonë se këto produkte mund të përdoren për luftën në Ukrainë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Turqinë për eksportimin në Rusi të kimikateve, mikroçipave dhe produkteve të tjera që mund të përdoren në përpjekjet e luftës të Moskës në Ukrainë.
Brian Nelson, zyrtari më i lartë i sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA, vizitoi zyrtarët e qeverisë dhe sektorit privat në Turqi të enjten dhe të premten për të kërkuar më shumë bashkëpunim në frenimin e qarkullimit të mallrave të tilla.
Në takimet e zhvilluara në Ankara dhe Stamboll, Nelson dhe delegacioni i tij, kanë përmendur eksportet në Rusi që kanë vlerë miliona Dollarë.
“Nuk është surprizë që Rusia vazhdimisht synon të shfrytëzojë lidhjet historike me Turqinë. Pyetja është se si do të përgjigjet Turqia”, thonë autoritetet amerikane.
Turqia, vend anëtar i NATO-s, kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë por mban raporte të mira edhe me Ukrainën. Perëndimi ka vendosur sanksione dhe ka kryer kontrolle të eksporteve drejt Rusisë, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, gati një vit më parë.
Megjithatë, zinxhirët e furnizimeve nga Hong Kongu dhe Turqia kanë mbetur të hapura.
GAZETARE: LIVIA KALLFA