Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi një paketë të re ndihme për sigurinë e Ukrainës.
Ajo përfshinë municione të mbrojtjes ajrore, artileri, armatim kundër pajisjeve të blinduara dhe pajisje shtesë për pastrimin e minave, raporton cnn.
Paketa kap vlerën e 200 milionë dollarëve dhe vjen nga “Autoriteti i tërheqjes presidenciale të autorizuar më parë” – para që mbetën pas gabimit në llogaritje të Departamentit të Mbrojtjes.
“Rusia e filloi këtë luftë dhe mund ta përfundojë atë në çdo kohë duke tërhequr forcat e saja nga Ukraina dhe duke ndaluar sulmet e saj brutale”, deklaroi Blinken.
“Derisa të ndodhë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë do të qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën, për aq kohë sa duhet”, shtoi ai.
Ndryshe, SHBA-të janë ndër vendet kryesore që po e mbështetin Ukrainën në luftën kundër Rusisë, e cila ka filluar më 24 shkurt të vitit të kaluar.