SHBA, godet rrjetet e vjedhjes së kartave të kreditit, në akuza një shtetas rus

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për një shtetas rus i cili akuzohet se ka përfituar miliona euro përmes keqpërdorimit të kartave të kreditit.

Denis Gennadievich Kulkov, në një aktakuzë të zbuluar nga një gjykatë e qarkut në Nju Jork, akuzohet për mashtrim me pajisje, ndërhyrje kompjuterike dhe pastrim parash. Kulkov, 43 vjeç, akuzohet për themelimin e një platforme elektronike të quajtur ‘Try2Check’ që ndihmoi kriminelët kibernetikë të verifikonin nëse kartat e vjedhura të kreditit ishin të vlefshme apo jo.

“Try2Check ishte një mundësi kryesore e tregtisë së informacionit të kartave të vjedhura të kreditit, duke përpunuar të paktën dhjetëra miliona numra kartash çdo vit”, tha prokuroria për distriktin lindor të Nju Jorkut.

Prokuroria tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët në Gjermani dhe Austri kishin bashkëpunuar për të larguar nga funksioni faqet e internetit të ‘Try2Check’. Departamenti i Shtetit dhe Shërbimi Sekret thanë se një shpërblim deri në 10 milionë dollarë ishte ofruar për informacionin që çon në arrestimin dhe kapjen e Kulkov, i cili jeton në Rusi.

Sipas aktakuzës, Kulkov krijoi ‘Try2Check’ në vitin 2005, duke e ndërtuar atë në një mjet kryesor të tregtisë së paligjshme të kartave të kreditit . “Platforma u ofroi përdoruesve të saj, individëve që vodhën numrat e kartave të kreditit në internet, mundësinë për të përcaktuar shpejt vlefshmërinë e një numri të kartës së kreditit”, thuhet në aktakuzë.

Për të kryer kontrolle të tilla, ‘Try2Check’ dyshohet se ka marrë qasje të paautorizuar në serverët e një procesori të madh pagesash me bazë në SHBA.  Kulkov mund të përballet me 20 vjet burgim.