SHBA dhe Koreja e Jugut, marrëveshje historike për armët bërthamore
SHBA dhe Koreja e Jugut kanë siguruar një marrëveshje historike për të kundërshtuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut. Uashingtoni ka rënë dakord të vendosë periodikisht nëndetëset amerikane të armatosura bërthamore në Korenë e Jugut. Në këmbim, Koreja e Jugut ka rënë dakord të mos zhvillojë armët e veta bërthamore.
JOE BIDEN PRESIDENT I SHBA-VE: Traktati ynë i mbrojtjes reciproke është i hekurt, dhe kjo përfshin angazhimin tonë për të parandaluar kërcënimin bërthamor. Ka çështje veçanërisht të rëndësishme të kërcënimeve të shtuara nga Koreja e Veriut pavarësisht se SHBA-ja ka vendosur sanksione. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të kërkojmë përparime serioze dhe thelbësore diplomatike për të forcuar stabilitetin në gadishull dhe për të adresuar shqetësimet tona për të drejtat e njeriut.
Shqetësimi është rritur nga të dyja palët për kërcënimin bërthamor të paraqitur nga Koreja e Veriut. Pheniani po zhvillon armë taktike bërthamore që mund të synojnë Korenë e Jugut dhe po përpunon armët e tij me rreze të gjatë që mund të arrijnë në territorin e SHBA-së. Presidenti Yoon Suk Yeol e quajti Deklaratën e Uashingtonit një zgjerim dhe forcim të strategjisë së masave të zgjeruara parandaluese Dokumenti thotë se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen sulmeve ndaj aleatëve dhe partnerëve në mbarë spektrin e skenarëve të mundshëm bërthamorë dhe jo-bërthamorë.
PRESIDENTI I KOREANËS SË JUGUT YOON SUK YEOL: Ne u angazhuam në dialog konstruktiv për të diskutuar mënyrat për të materializuar këtë vizion të përbashkët. Paqja e qëndrueshme në gadishullin korean nuk ndodh automatikisht. Dy vendet tona kanë rënë dakord për konsultime të menjëhershme dypalëshe në rast të sulmit bërthamor të Koresë së Veriut dhe premtuan se do të përgjigjen me shpejtësi dhe me vendosmëri duke përfshirë armët bërthamore të Shteteve të Bashkuara.
Por disa zyrtarë në Korenë e Jugut kanë filluar të dyshojnë në këtë angazhim dhe kanë bërë thirrje që vendi të ndjekë programin e tij bërthamor. Politikanët në Seul kanë kohë që e kanë shtyrë Uashingtonin që t’i përfshijë ata më shumë se si dhe kur të përdorin armët bërthamore kundër Koresë së Veriut. SHBA shpreson të bindë Korenë e Veriut që të heqë dorë nga armët e saj bërthamore, por lideri Kim Jong Un deklaroi se statusi bërthamor i vendit është i pakthyeshëm. Ndërkaq nga ana tjetër të dy liderët diskutuan edhe për luftën në Ukrainë. Biden përshëndeti dërgimin e rreth 230 milionë dollarëve ndihma humanitare në Ukrainë, ndërsa kërkoi edhe një përfshirje edhe më të madhe të Seulit për të ndihmuar ukrainasit të zmbrapsnin Rusinë.