Sekretari amerikan i Mbrojtjes anulon vizitën në Izrael, shkak protestat

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, është detyruar që të ndryshojë planet për vizitën e planifikuar në Izrael, për shkak të protestave anti-qeveritare që pritet të paralizojnë trafikun në mbarë shtetin, thanë zyrtarët amerikanë dhe izraelitë.

Austin ishte planifikuar që të shkonte në Izrael nga Egjipti dhe të zhvillonte vizitë njëditore. Në javët e fundit, dhjetëra mijëra izraelitë kanë protestuar kundër planeve të Qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, që kërkon të bëjë ndryshime në sistemin gjyqësor të shtetit. Më shumë protesta janë paraparë të mbahen të enjten dhe rrugët pritet të bllokohen. Autoritetet izraelite po ashtu kanë paralajmëruar se mund të ketë edhe pengesa në aeroporte.

Aleatët e Netanyahut argumentojnë se ndryshimet janë të nevojshme për të frenuar ndikimin e gjyqtarëve të rinj. Kundërshtarët e tij thonë se ndryshimet do të përqendrojnë pushtetin në duart e Netanyahut dhe do të çojnë shtetin drejt sundimit autoritar.

Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, tha se ndryshimi i lokacionit të takimeve është bërë me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.