Diagnostikimi me pamjaftueshmëri kronike venoze, sa serioze është gjendja e Donald Trump?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, 79 vjeç, është diagnostikuar me pamjaftueshmëri kronike venoze, një gjendje e zakonshme që prek enët e gjakut në këmbë dhe që shpesh haset tek personat e moshuar. Lajmin e konfirmoi zyrtarisht Shtëpia e Bardhë ditën e djeshme.
Pamjaftueshmëria kronike venoze ndodh kur venat nuk arrijnë të kthejnë gjakun në mënyrë efektive drejt zemrës, duke çuar në grumbullimin e gjakut në gjymtyrët e poshtme. Ndër simptomat më të zakonshme janë ënjtja, dhimbjet, kruarja dhe ndryshimet në lëkurë. Trump mësohet se kërkoi kontroll mjekësor pasi kishte vënë re ënjtje të përsëritura në këmbë. Pas ekzaminimeve, mjekët konfirmuan diagnozën, duke theksuar se gjendja nuk është e rrezikshme dhe mund të menaxhohet lehtësisht.
Në një deklaratë zyrtare, mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Dr. Sean Barbabella, siguroi se “nuk ka prova të trombozës së thellë të venave apo problemeve serioze me qarkullimin”, duke shtuar se “Presidenti vazhdon të jetë në shëndet të shkëlqyer”.
Ndërkohë, disa fotografi të fundit të Trumpit kanë ngritur pikëpyetje për shkak të mavijosjeve në dorë, por Shtëpia e Bardhë deklaroi se këto janë pasojë e përdorimit të aspirinës dhe shtrëngimeve të shpeshta të duarve, jo e gjendjes venoze. Ekspertët shëndetësorë theksojnë se kjo sëmundje prek 10–35% të njerëzve mbi moshën 70 vjeç dhe zakonisht nuk është serioze. Faktorët e rrezikut përfshijnë moshën, mbipeshën dhe qëndrimin e gjatë në këmbë.
“Pamjaftueshmëria kronike venoze rrallë është kërcënuese për jetën, por mund të shkaktojë shqetësime në cilësinë e jetës”, tha Dr. Matthew Edwards, shef i kirurgjisë vaskulare në Universitetin Wake Forest.
Trajtimi përfshin përdorimin e çorapeve kompresive, ngritjen e këmbëve gjatë natës dhe kujdesin ndaj lëkurës me kremra të veçantë. Presidenti Trump iu nënshtrua më herët këtë vit edhe ekzaminimit vjetor mjekësor, ku u vlerësua në gjendje të mirë fizike. Ai aktualisht merr ilaçe për uljen e kolesterolit, aspirinën për parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe përdor pomadë për trajtimin e problemeve të lëkurës.
Në deklaratat e tij të mëparshme, Trump ka theksuar se është “më i shëndetshëm se çdo president në histori”. një pretendim që tani po vihet në diskutim nga ndjekësit dhe mediat pas diagnozës së fundit.