Rusia sulmon sërish Kievin me raketa
Rusia lëshoi rreth 25 raketa në kryeqytetin e Ukrainës, sulmi i dytë në kaq pak orë. Nga ana tjetër mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi të gjitha raketat.
“Në front, planet e agresorit dështuan,” tha Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit. Shërbimet emergjente ukrainase lëshuan alarme për sulm ajror për Kievin dhe pjesën më të madhe të Ukrainës qendrore dhe lindore, duke u shtrirë nga Vynnitsya në perëndim në të gjitha rajonet lindore dhe në jug deri në rajonin Kherson dhe Odesa në Detin e Zi.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitalii Klitschko tha përmes kanalit Telegram se mbeturinat e raketave ranë në një shtëpi në jugperëndim të qytetit, por nuk pati viktima apo dëme të mëdha në banesë. Ndërkaq Ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë , Bridget Brink, ka dënuar sulmin, duke thënë se Rusia shënon 9 majin me më shumë raketa dhe drone të lëshuara drejt qyteteve të Ukrainës dhe civilëve.
Nga ana tjetër forcat ruse vijojnë ofensivën e tyre në drejtime të shumta duke përfshirë Bakhmut, Kupyansk, Krasny Liman dhe Donetsk duke shkatërruar pajisje dhe objekte të tilla si automjete të blinduara dhe depo municionesh.
Për muaj të tërë, Rusia është përfshirë në një betejë të dëshpëruar për kontrollin e qytetit lindor Bakhmut, të cilin e sheh si çelësin e përparimit të saj të mëtejshëm në lindje. Grupi mercenar Wagner ka udhëhequr sulmin dhe shefi i grupit, ka lëshuar një sërë videosh duke fajësuar Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov për dështim në fushën e betejës, ndërsa një ditë më parë njoftoi planin për të qëndruar në qytetin lindor pasi mori premtime për armatime të reja.