Rusia sanksionon politikanë e gazetarë britanikë

Rusia ka ndaluar hyrjen e 54 shtetasve britanikë dhe personave që punojnë për organizatat e Mbretërisë së Bashkuar si hakmarrje për sanksionet e Britanisë ndaj qytetarëve të saj, ka thënë ministria e saj e Jashtme.

Ato përfshijnë sekretaren e Kulturës Lucy Frazer dhe kryeprokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim Khan, raportoi BBC. Një numër gazetarësh nga BBC, Daily Telegraph dhe Guardian janë gjithashtu në listë.

Frazer u sanksionua për “lobim aktiv për izolimin sportiv ndërkombëtar të Rusisë”, ndërsa Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen, Annabel Goldie, u përshkrua si “përgjegjëse për furnizimin me armë në Ukrainë”.

Në mars, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, të cilin Moska e mohon.

Ministria e Jashtme ruse tha se do të vazhdojë të zgjerojë “listën e saj të ndalimit”.