Rusia i dha azil politik ish-presidentit sirian Assad! Zëdhënësi i Kremlinit: Ishte vendim i Putinit, rrëzimi i regjimit në Siri na befasoi

Një ditë pas rrëzimit të regjimit të Bashar al Assad në Siri, Kremlini deklaron se Rusia i ka dhënë azil politik ish-presidentit sirian Assad.

Zëdhënësi i presidentit rus tha se dhënia e azilit politik për Assadin ishte vendim i presidenti Vladimir Putin.

Ndërkaq ai nuk dha asnjë informacion për vendodhjen e ish-presidentit sirian, raporton Sky News.

I pyetur nëse Rusia është befasuar nga ngjarjet që po zhvillohen në Siri, Peskov tha: “Ajo që ndodhi në përgjithësi habiti të gjithë botën. Në këtë rast, ne nuk bëjmë përjashtim.”

Sa i përket bazave ushtarake ruse në Siri, ai tha se është shumë herët për të thënë se çfarë do të ketë e ardhmja.

Sakaq ai tha se bazat ushtarake ruse në Siri do të jenë objekt diskutimi me drejtuesit që janë në pushtet në Siri.

Rebelët sirianë nën udhëheqjen e Abu Mohammed al-Jawlani deklaruan dje se rrëzuan nga pushteti presidentin Bashar al-Assad, pasi morën kontrollin e Damaskut të dielën, duke e detyruar atë të arratiset dhe duke i dhënë fund sundimit autokratik të familjes së tij pas më shumë se 14 vitesh luftë civile.

Sirianët dolën në rrugë të dielën duke festuar fundin e sundimit të hekurt 50 vjeçar të familjes Assad, pas një përparimi të befasishëm të rebelëve që në pak ditë arritën në kryeqytet duke ngritur tani pikëpyetje për të ardhmen e vendit dhe rajonit më të gjerë.

Turmat u mblodhën në sheshet qendrore të Damaskut duke valëvitur flamurin sirian, skena që ngjasonin me ditët e para të kryengritjes së Pranverës Arabe, përpara se të niste një shtypje brutale nga ana e qeverisë që e zhyti vendin në një luftë civile gati 14-vjeçare.

Në daljen e tij të parë publike që kur ushtarët hynë në periferi të Damaskut, ai u tha mbështetësve se fitorja e rebelëve ishte “për të gjithë kombin” dhe se Assad e kishte bërë Sirinë “terren për lakminë e Iranit”.

Jawlani, kreu i grupit terrorist të shpallur nga Shtetet e Bashkuara, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), ka kohë që ka tentuar që të ndryshojë imazhin e tij publik. Ai publikisht hoqi dorë nga lidhjet e tij me Al-Kaidan dhe ka tentuar të paraqitet si një udhëheqës pragmatist e tolerant.

HTS-ja është një grup militant islamist që synon të krijojë një shtet në Siri të qeverisur nga ligji islamik. HTS-ja është aleat me disa grupe më të vogla militante islamiste, disa prej të cilave përbëhen nga luftëtarë të huaj nga Evropa dhe Azia Qendrore.