Rritet ekonomia në Eurozonë pas frikës për një recesion

Zona e euros u rrit vetëm pak në tre muajt e parë të 2023 dhe me një normë më të ulët se pritjet e tregut , treguan të dhënat paraprake të premten . Produkti i brendshëm bruto në eurozonë u zgjerua me 0.1% në tremujorin e parë, nën pritshmëritë në një sondazh të Reuters për rritje prej 0.2%. Krahasuar me një vit më parë, rritja ishte 1.3% kundrejt pritshmërive prej 1.4%.

“Shifrat janë … disi më të mira se sa pritej, të paktën nga parashikimi ynë,” tha Komisioneri i Ekonomisë i BE Paolo Gentiloni në një konferencë shtypi pas një takimi të ministrave të financave të zonës euro në Stokholm.

Ndër vendet më të mëdha të bllokut, Gjermania nuk regjistroi rritje pas tkurrjes në tremujorin e fundit të 2022. Ekonomitë e Francës, Italisë dhe Spanjës u zgjeruan.

“Ky është një lajm inkurajues, i cili tregon një ekonomi evropiane që vazhdon të tregojë elasticitet ndaj një sfondi sfidues global,” tha Gentiloni.

Por edhe nëse blloku po ecën më mirë nga ç’pritej, rritja në vitin 2023 do të jetë ndër më të dobëtat në histori për shkak të një rënie të madhe të të ardhurave reale dhe rritjes së normave të interesit.

Komisioni Evropian parashikon se eurozona do të zgjerohet me 0.9% këtë vit dhe me 1.5% në vijim. Ekzekutivi i BE-së tha se blloku do të shmangte një recesion, por ishte i rrethuar me sfida  nga inflacioni dhe shtrëngimi monetar te kërkesa e dobët e jashtme dhe pasiguria e përgjithshme.