Rritet çmimi i naftës pas shkurtimit të prodhimit nga OPEC

Çmimet e naftës u rritën menjëherë të hënën pasi eksportuesi kryesor botëror, Arabia Saudite u zotua të ulë prodhimin me 1 milion fuçi të tjera në ditë nga korriku.

Nafta në bursën e Londrës u rrit me 1,02 dollarësh, ose 1,3% duke arritur në 77,15 dollarë për fuçi, ndërsa nafta në bursën amerikane rrit 1,02 dollarë ose 1,4%, në 72,76 dollarë për fuçi. Ministria saudite e energjisë deklaroi se ulja prej 1 milion fuçi në ditë nga Riadi mund të zgjatet përtej korrikut nëse është e nevojshme.  Ky është shkurtimi  më i madh i Arabisë Saudite ndër vite.

Karteli OPEC+ arriti një marrëveshje për politikën e prodhimit pas shtatë orësh bisedimesh. Përveç zgjatjes së shkurtimeve ekzistuese, grupi gjithashtu ra dakord të reduktojë objektivat e prodhimit të përgjithshëm nga janari 2024 me 1.4 milionë fuçi të tjera në ditë.

Që kur filloi pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, vendet perëndimore kanë akuzuar OPEC-un për manipulimin e çmimeve të naftës dhe minimin e ekonomisë globale përmes kostove të larta të energjisë. Perëndimi gjithashtu ka akuzuar OPEC-un se po mban anën e Rusisë.

Analistët thonë se shkurtimi i prodhimit ka të ngjarë të thellojë deficitin e tregut, gjë që mund të çojë në çmime më të larta në javët e ardhshme.

OPEC dhe Rusia kanë pretenduar vazhdimisht shkurtimin e prodhimit për të ndikuar çmimin e naftës në bursa por të dhënat e tregut tregojnë se në të vërtetë prodhimi ditor nuk është shkurtuar, në mënyrë të veçantë nga Rusia pasi të ardhurat nga nafta i përdor për të financuar luftën.