Rritet bilanci i të vdekurëve nga përmbytjet në Turqi

Është rritur në 14 numri i personave që kanë humbur jetën nga përmbytjetet e fuqishme në pjesën juglindore të Turqisë e cila një muaj më parë u godit nga tërmet shkatërruese.

Situata më e rëndë paraqitet në provincën juglindore Adıyaman ku ujërat e rrëmbyeshëm përmbytën kontenjerët ku jetonin një grup të mbijetuarish nga tërmeti. Disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit gjetën trupat e pesë shtetasve sirianë brenda një apartamenti të përmbytur në provincën fqinje Sanliurfa (Shanlleurfa)

Disa njerëz u evakuuan nga disa çadra ku strehoheshin pas goditjes nga tërmeti të cilët u dërguan më pas në një spital. Rrjedhjet e fuqishme të ujit morën gjithashtu përpara disa makina dhe çdo gjë tjetë përreth .

Agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive bëri të ditur se në dispozicion u vendosën  zhytës profesionistë të cilët  u përfshinë në përpjekjet e shpëtimit në secilën prej dy provincave. Shiu i dendur përmbyti gjithashtu njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin e Trajnimit dhe Kërkimit Şanlıurfa ndërsa pacientët u transferuan në një spital tjetër.

Shkollat kanë pezulluar mësimin deri në përmirësimin e situatës. Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave ka deklaruar se policia, xhandarmëria dhe ekipet e bashkisë vazhdojnë të evakuojnë zonat me rrezik përmbytjeje. Provincat Adıyaman, Diyarbakır, Malatya, Kahramanmaraş dhe disa të tjera janë vendosur nën alarmin portokalli për shkak të përmbytjeve.

https://www.youtube.com/shorts/H4JKOxXT_Ko

Provincat, ku jetojnë rreth 2.7 milionë njerëz, u goditën nga tërmetet e muajit të kaluar, të cilët vranë më shumë se 48,000 njerëz në Turqi dhe lanë miliona të pastrehë. Sipas parashikimeve reshjet e shiut pritet të jenë me intensitet të lartë të paktën deri në fundjavë duke e rënduar edhe më shumë situatën në zonë.