Rrëzohet avion ambulancë në Kili, 6 të vdekur – kërkimet vështirësohen nga terreni malor
Një avion ambulancë me gjashtë persona në bord u rrëzua të mërkurën në mbrëmje pranë kryeqytetit të Kilit, Santiago, ndërsa ishte duke transportuar një pacient drejt qytetit Arica, pranë kufirit verior të vendit.
Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil të Kilit (DGAC) njoftoi se avioni Piper Cheyenne II, i regjistruar me kodin CC-CCC, humbi kontaktin me kullën e kontrollit pranë kodrës El Roble, në zonën Curacavi, rreth 40 kilometra në perëndim të Santiagos.
Ekipet e kërkimit, përfshirë forcat ajrore, policinë dhe zjarrfikësit, janë angazhuar në zonën e rrëzimit, e cila ndodhet në një terren me lartësi të madhe dhe të vështirë për t’u arritur. Kryebashkiaku i Curacavit, Cristian Hernandez, deklaroi për mediat lokale se zona është “jashtëzakonisht e paarritshme”, duke vështirësuar operacionin e shpëtimit.