Rinisin shërbimet hekurudhore në Greqi pas tragjedisë në Larisa

 

Pas katastrofës ku humbën jetën 57 persona mes tyre edhe gjashtë shqiptarë nga përplasja e trenave në Larisa, trenat kanë rinisur punën. Me linjat e reduktuara dhe masat e shtuara të sigurisë, shërbimi hekurudhor u rikthye sërish pas 22 ditësh. Rruga e parë testuese nisi nga Stacioni i Larisës për në stacionin Oinoi, ndërsa pasagjerët, edhe pse hezituan pas aksidentit të 28 shkurtit, zgjodhën të udhëtojnë edhe pse të frikësuar.

Plani, i rënë dakord në mbledhjen e Qendrës së Koordinimit të Sigurisë Hekurudhore vjen pak parta festimeve të Pashkëve ku njerëzit zgjedhin të udhëtojnë tek familjarët. Rihapja e hekurudhave do të bëhet në pesë faza dhe çdo pesë ditë do të hapet një linjë nën masa të shtuara sigurie.

Trenat qarkullojnë me shpejtësi të reduktuar e cila nuk i kalon 80 kilometra në orë, për trenat periferikë dhe të mallrave dhe 100 km për trenat e pasagjerëve, ndërsa në kabinën e trenit ndodhen dy makinistë dhe dy mbikëqyrës trafiku.

Njëkohësisht në stacionet ku deri më tani ka qenë në detyrë një stacionar janë vendosur edhe dy persona .Gjithashtu linjat e autobuzëve që transportojnë pasagjerët janë vendosur nën dispozicion. Shërbimet e plota do të rifillojnë më 11 prill, duke përfshirë transportin hekurudhor midis Athinës dhe qytetit të dytë më të madh të Greqisë, Selanikut.