Republikanët kundër padisë ndaj Trump
Ngritja e padisë ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump është kritikuar nga mbështetësit republikanë. Udhëheqës të lartë republikanë në Kongres shprehën mbështetje dhe i akuzuan demokratët se po e përdorin politikisht sistemin e drejtësisë.
Reagimi i ashpër i republikanëve ndaj ngritjes së akuzave pasqyron mbështetjen që ende gëzon Trump tek Partia Republikane dhe shumë prej votuesve të tij, ndërsa ai përpiqet të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, tha se ngritja e aktakuzës tregon se “sistemi i shenjtë i drejtësisë u përdor politikisht” kundër Trump. Ligjvënësja Elise Stefanik, një tjetër udhëheqëse në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, e quajti aktakuzën një, “gjueti politike shtrigash dhe një ditë të errët për Amerikën”.
Senatori i Floridës, republikani Rick Scott e quajti ngritjen e aktakuzës një “hakmarrje politike kundër presidentit Trump”, ndërsa Senatori Ted Cruz i Teksasit e quajti atë “një përshkallëzim katastrofik të përdorimit politikisht të sistemit të drejtësisë”.
Javën e kaluar fushata presidenciale e ish presidentit amerikan mblodhi rreth 2 milionë dollarë, sipas drejtuesve të saj. Trump është kandidati kryesor republikan në zgjedhjet e presidenciale të vitit 2024. Ai gëzon mbështetjen e rreth 44% të republikanëve, sipas një sondazhi nga Reuters/Ipsos dhe pasohet nga guvernatori i Floridës Ron DeSantis me 30%, pavarësisht se ky i fundit ende nuk ka shpallur kandidaturën.
Përmes një shkrimi në rrjetitn Twitter, guvernatori DeSantis edhe pse shihet si një rival i Trump dhe një kandidat I fortë për Shtëpinë e Bardhë u shpreh se ngritja e aktakuzës ishte joamerikane.“Përdorimi politikisht i sistemit të drejtësisë për të avancuar një axhendë politike e kthen me kokë poshtë zbatimin e ligjit”, thuhet në postim.
Opinionet e njerëzve ishin gjithashtu të ndara. Disa prej tyre u shprehën se aktakuza ishte personale ndaj Trump
BANORE E ARIZONËS: Ndjej sikur Trump të kandidojë përsëri në 2024, se ai nuk duhet të lejohet, të shkojë në burg. Dhe po, shpresoj që kjo të mos ndodhë.
Të tjerë njerëz u shprehën se drejtësia më në fund po vepron .
BANOR I NJU JORKU-T: Unë mendoj se është e mrekullueshme. Askush nuk është mbi ligjin. Ekziston një shprehje e dini, mos e bëni krimin nëse nuk mund të paguani kohën. Ai bëri diçka të paligjshme dhe tanimë duhet të vuajë pasojat.
Akuzat mund të dëmtojnë përpjekjen e tij për rikthimin e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.