Tërmeti i së hënës është më i rëndi që ka goditur Turqinë në 80 vitet e fundit. Rreth 30 mijë njerëz humbën jetën dhe mijëra të tjera kanë ngelur të pastrehe. Sipas gazetares Aida Topalli në periferi të qytetit Hatay, mijëra njerëz që tashmë janë të pastrehë duhet të përballen me dimrin e ftohtë me temperaturat që gjatë natës zbresin disa gradë nën zero. Në qytetet e shkatërruara janë ngritur çadra, por janë të pamjaftueshme për të strehuar të gjithë. Ndërkohë që ndihmat nga e gjithe bota janë duke u mbledhur për qytetarët turq.
Vendi që është i njohur për lëkundje sizmike të forta po përballet tani me gjendjen e jashtëzakonshme teksa autoritetet dhe ekipet e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e të gjitha viktimave nga rrënoja. Orë pas ore nën rrënoja janë ndjerë rrahje zemre dhe ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë qindra njerëz, por teksa kanë kaluar 115 orë nga tërmeti, shpresat për gjetur të mbijetuar janë të vogla.
Ekipe të shpëtimit kërkimit dhe ndihma për të mbijetuarit janë dërguar nga e gjithë botë, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.
Edhe më e rëndë është situata në Siri. Një krizë brenda krize e cilëson OKB, që paralajmëron se më shumë se pesë milionë njerëz mund të kenë mbetur të pastrehë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se 6.8 milionë njerëz ishin tashmë të zhvendosur brenda vendit që nga fillimi i luftës civile që përfshiu Sirinë në vitin 2011. Tashmë, 5.37 milionë njerëz të prekur nga tërmeti do të kenë nevojë për ndihmë strehimore në të gjithë Sirinë, thotë organizata.