Rëndohet bilanci i viktimave në Greqi/ Hetimet përqëndrohen te komandimi i binarëve

 

Dy trena janë përplasur në veri të Greqisë, duke vrarë të paktën 38 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Njëri prej tyre ishte tren pasagjerësh që transportonte rreth 350 persona u përplas me një tren mallrash të martën mbrëma. Dy vagonët e parë të trenit të pasagjerëve u shkatërruan pothuajse plotësisht pasi u dogjën nga zjarri. Ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë gjithë natës në vendin e aksidentit pranë qytetit të Larisës.

Kreu i një sindikate hekurudhore u tha mediave lokale se nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi përplasjen, e cila është më vdekjeprurja e Greqisë në vitet e fundit. Nga raportet paraprake dyshohet se trenat kanë udhëtuar në të njëtat shina gjë që mund të ketë çuar në tragjedi. Hetimet tanimë janë përqëndruar në komandimin e binarëve.

Përplasja ndodhi në komunën e Tempit, rreth 24 km nga qyteti i Larisës, me linjën hekurudhore në fjalë që kalonte përgjatë tokës bujqësore dhe lumit Pinelos në perëndim dhe ultësirave të malit Ossa në lindje.  Nga përplasja të tre nga vagonët e tij kanë dalë nga shinat dhe shkaktoi zjarr në disa vagona të pasagjerëve, duke djegur shumë udhëtarë të cilët u dërguan me urgjencë në spitale.

PASAGJER: U bë panik, për dhjetë, pesëmbëdhjetë sekonda ishte kaos, treni u përmbys, disa vagona morën flakë dhe xhamat u thyen. Njërëzit filluan të bërtisnin ndërsa disa të tjerë u hodhën dy metra në rrugë për të shpëtuar. Ishte e tmerrshme.

Një operacion kërkimi është duke u zhvilluar dhe është fokusuar në tre vagonët e parë të trenit të pasagjerëve. Në vend janë vendosur në dispozicion 150 zjarrfikës, duke përdorur 17 automjete dhe katër vinça si dhe 30 autoambulanca. Autoritetet shprehen se do të përdorin bazën e ADN-së për të identifikuar trupat pasi është shumë e vështirë verifikimi i moshës dhe identitetit të disa prej pasagjerëve.

Kryeministri i Greqisë thotë se vendi do të hyjë në një periudhë zie treditore. Të gjitha festimet publike janë anuluar dhe flamujt në ndërtesat publike do të valëviten në gjysmështizë deri të premten. Ndërkaq presidentja greke ndërpreu vizitën zyrtare në Moldavi për shkak të tragjedisë. Në një telefonatë ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu shprehu ngushëllimet ministrit të jashtëm grek Nikos Dendias për tragjedinë e tmerrshme me të cilën po përballet tanimë Greqia.

Kryqi i kuq grek u ka bërë thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak. Gjithashtu kryeministri grek Kyriakos Micotaqis do të vizitojë vendin e ngjarjes në mesditë. Në vitin 1972, 19 njerëz humbën jetën kur dy trena u përplasën kokë më kokë  në Larisa. Sistemi hekurudhor i vjetër i Greqisë ka nevojë për modernizim, me shumë trena që udhëtojnë në shina të vetme dhe sisteme sinjalizimi dhe kontrolli automatik ende të vjetër në shumë zona.

GAZETARE: LIVIA KALLFA