Real Madrid nuk “ngopet” me trofe, Benzema: Duam të fitojmë një tjetër Champions League

Real Madrid “shpërfytyroi” me rezultatin 2 me 5, skuadrën e Liverpool, në ndeshjen e vlefshme për fazën e 1/16-ve, të UEFA Champions League, ku padyshim protagonistët kryesorë të “galaktikëve” ishin anësori Vinicius Junior dhe “bomberi” francez, Karim Benzema, ku të dy arritën të shënonin nga 2 gola dhe të dhuronin nga 1 asist.

Mirëpo, “topi i Artë”, duket se nuk është i kënaqur vetëm me kaq. Në fjalën e tij për mediat pas ndeshjes, Karim Benzema ndihet i “pangopur”, kur bëhet fjalë për fitimin e ndonjë trofeu dhe synon të ngrejë sërish trofeun e Champions League.

“Ishte një natë e rëndësishme, dua t’ia dedikoj këtë paraqitje presidentit tonë të nderit, Amancio. Kjo fitore është për të nga ana e jonë. Luajtëm me personalitet dhe me produktivitet të golit.

Duam ta fitojmë prapë Ligën e Kampionëve. I dhamë jetë një loje fantastike edhe për ata që na shikuan. Fillimi ishte i keq, tifozët në “Anfield” na vunë nën presion, por më pas është parë Real Madridi i vërtetë”,- tha në fjalën e tij, Benzema.

Ndërkaq, përveç fitores Benzema arriti të vendoste dhe disa rekorde të reja personale. Me 2-golëshin e shënuar mbrëmjen e djeshme, Benzema e çoi në 6 numrin e rrjeta kundër Liverpool, më shumë se çdo lojtar tjetër në Champions dhe në 4 numrin e golave të shënuar në “Anfiel Road”, më shumë se kushdo tjetër në këtë kompeticion.