Qeveria britanike nuk tërhiqet nga projektligji i migracionit

 

Pavarësisht thirrjve nga organizatat për të drejtat e njeriut, Këshillit të Europës dhe thirrjeve nga aktivistë të shumtë, Suella Braverman synon që t’i shkojë deri në fund planit të saj për debimin e migrantëve.

Në një intervistë me BBC, sekretares së  brendshme iu treguan prova të refugjatëve kongolezë që u qëlluan për vdekje nga policia gjatë protestave për kushtet në një kamp në Ruandë në vitin 2018.

Në përgjigje,  Braverman tha se Gjykata e Lartë kishte gjetur prova të tjera se Ruanda ishte e sigurt por ajo pranoi se planet po përballeshin ende me një sfidë ligjore. Sipas propozimeve të qeverisë, njerëzit që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes rrugëve të paligjshme mund të dërgohen në Ruandë për të kërkuar azil atje.

Në dhjetor, Gjykata e Lartë vendosi se plani ishte i ligjshëm, por vendimi aktualisht po kalon një proces apelimi. Gjatë intervistës me moderatoren Laura Kuenssberg, Braverman u shpreh se nuk kishte qenë në djeni të vrasjes së 12 refugjatëve kongolezë por shtoi se kjo është një histori e kaluar dhe gjerat duhet të shihen përgjatë gjithë 2023.

Ajo shtoi se Ruanda ka një histori të suksesshme të rivendosjes dhe integrimit të njerëzve që janë refugjatë ose azilkërkues. Muajin e kaluar disa gazeta raportuan se një burim në Zyrën e Brendshme kishte pohuar se kishte plane për të hequr fluturimet për në Ruandë nga terreni deri në verë por qeveria nuk është angazhuar publikisht për një afat kohor.

Kryeministri Rishi Sunak e ka bërë ndalimin e anijeve të vogla që kalojnë kanalin një nga prioritetet e tij kryesore . Por disa ligjvënës në Partinë Konservatore të Sunak duan që legjislacioni të shkojë edhe më tej, me disa që i bëjnë thirrje qeverisë që të nxjerrë Britaninë nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Konservatorë të tjerë dhe politikanë të opozitës duan që qeveria të ofrojë më shumë rrugë të ashtuquajtura të sigurta, diçka që Sunak ka premtuar, por vetëm kur shifrat e emigrantëve që vijnë të kenë rënë.