“Qëlluan me armë dhe mbi fëmijët”, e reja që i mbijetoi sulmit të Hamasit: Duhet t’i shkatërrojmë ata një nga një

Teksa OKB-ja i bën thirrje Izraelit që të japë sërish urdhër që civilët të largohen nga qyteti i Gazës, rrëfime dramatike vijnë nga të mbijetuarit e masakrës së Kibbutz Kfar Aza. BBC sjell rrëfimin e 22-vjeçares Neta Portal në një spital në Tel Aviv, ku mjekët i kanë hequr me kujdes 6 plumbat nga këmbët, 5 në njërën dhe 1 në tjerën.

E reja u hodh nga dritarja dhe kishte humbur vetëdijen kur agresorët e armatosur të Hamasit hapën zjarr ndaj tyre.

“Ata po qëllonin njerëzit, fëmijët. Njerëzit bërtisnin; “Ju lutem jo, jo!”. U përpoqa të zgjohesha sepse nuk doja të vdisja”.

Gazetari i BBC e pyet Netën se si mendon, nëse qeveria izraelite duhet t’i përgjigjet masakrës së komunitetit të saj dhe mizorive të tjera. Pikërisht në këtë pikë, shqetësimi i saj i luhatshëm kthehet në zemërim të thellë. “Ju doni të vërtetën? Unë nuk e dua më Hamasin në jetën time. Ne duhet t’i shkatërrojmë ata një nga një. Ne duhet të jemi të fortë.”, tha e reja.