Protesta masive në Izrael pas shkarkimit të ministrit të mbrojtjes

 

 

Dhjetëra mijëra njerëz mbushën rrugët në të gjithë Izraelin pasi kryeministri Benjamin Netanyahu shkarkoi ministrin e tij të mbrojtjes. Yoav Gallant ishte shprehur kundër planeve të diskutueshme për të ristrukturimin e sistemin e drejtësisë.Në Jerusalem, policia dhe ushtarët përdorën topa uji kundër demonstruesve  të cilët ishin mbledhur pranë shtëpisë së Netanyahut duke thyer kordonin e sigurisë.

Në Tel Aviv, ku qindra mijëra kanë dalë në rrugë që nga fillimi i vitit, protestuesit ndezën disa zjarre në një autostradë kryesore. Rreth tre muaj që nga marrja e detyrës, koalicioni nacionalist-fetar i Netanyahut është zhytur në krizë.

Pesidenti i Izraelit Isaac Herzog i bëri thirrje qeverisë që të ndalojë reformat. “Për hir të unitetit të popullit të Izraelit, për hir të përgjegjësisë, ju bëj thirrje që të ndaloni menjëherë procesin legjislativ,” tha ai në Twitter. SHBA gjithashtu u shpreh se ishte thellësisht e shqetësuar për zhvillimet dhe bëri thirrje për një kompromis.

“Siguria e shtetit nuk mund të jetë një kartë në lojën politike. Netanyahu kaloi një vijë të kuqe,” thanë liderët e opozitës Yair Lapid dhe Benny Gantz në një deklaratë të përbashkët. Ata u bënë thirrje anëtarëve të partisë Likud të Netanyahut që të mos kenë dorë në shtypjen e sigurisë kombëtare. Në njoftimin e shkarkimit të Gallant, zyra e Netanyahut nuk përmendi një zëvendësues dhe nuk dha ndonjë detaj tjetër.

Yoav Gallant u bë anëtari më i vjetër i partisë Likud të krahut të djathtë të Netanyahut i cili u shpreh se nuk do të mbështeste rishikimin e gjyqësorit, duke thënë se protestat që kanë përfshirë vendin  po minonin sigurinë kombëtare. Reformat për sistemin gjyqësor përfshijnë plane që do t’i jepnin qeverisë kontroll të plotë mbi emërimet gjyqësore, duke i dhënë ekzekutivit lirinë më të gjerë për të emëruar gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Netanyahu ka deklaruar se reformat janë krijuar për të ndaluar gjykatat të tejkalojnë kompetencat e tyre dhe se ato u votuan nga publiku në zgjedhjet e fundit.

Gjatë kësaj jave janë paralajmëruar të tjera protesta që përkojnë me muajn e shenjtë mysliman të Ramazanit  si dhe me Pashkën hebraike dhe festimin e Pashkëve të Krishtera. Gjatë vitit të kaluar, forcat izraelite kanë kryer bastisje pothuajse të përditshme në Bregun Perëndimor, duke vrarë më shumë se 250 luftëtarë dhe civilë palestinezë, ndërsa më shumë se 40 izraelitë dhe të huaj janë vrarë nga sulmuesit palestinezë.