Projektligji për “Agjentët e huaj”,shkakton protesta në Gjeorgji
Tensione në Gjeorgji. Qytetarë të shumtë protestuan para parlamentit në kryeqytetin Tbilisi. Zemërimi vjen pas një projektligji të miratuar që cilëson si “agjentë të huaj” të gjithë shoqatat dhe organizatat joqeveritare që marrin më shumë se 20% të fondeve nga jashtë shtetit.
Kritikët thonë se ky vendim përbën një kthesë dhe mund të dëmtojë përpjekjet e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Për të shpërndarë protestuesit policia gjeorgjiane përdori gaz lotsjellës dhe ujë. I tillë është edhe ky moment kur protestuesit mbrojnë një grua e cila mbante një flamur të BE-së. Ndërsa të tjerë brohorisnin: “Jo ligjit rus” dhe “Ju jeni rusë” ndaj politikanëve brenda parlamentit.
Kryeministri gjeorgjian Giorgi Garibashvili ripohoi nga Berlini mbështetjen e tij për projekt-ligjin, të cilin shumë e shohin të ngjashëm me një ligj të vitit 2012 në Rusi që atëherë është përdorur për të goditur disidencën.
Rusia shihet si një vend armik nga shumë gjeorgjianë, pasi Moska mbështeti separatistët në rajonet gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në vitet 1990.