Presidenti Trump firmos sërish një urdhër ekzekutiv, demokratët e presin me …
Presidenti i SHBA, Donald Trump do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të shpërbërë Departamentin Federal të Arsimit, raportuan mediat amerikane të mërkurën, një vendim që shumë konservatorë po e parashikojnë dhe e mbështesin fuqishëm.
Një shqetësim i republikanëve për dekada, ky vendim është brenda dëshirës së deklaruar të administratës Trump për të shkurtuar shpenzimet e qeverisë qendrore.
Urdhri kërkon nga Sekretarja e Arsimit, Linda McMahon, të “ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm për të lehtësuar mbylljen e Departamentit të Arsimit”.
Megjithatë, disa programe kyçe pritet të kursehen, si ato që ofrojnë bursa për studentët dhe fonde për institucionet arsimore me të ardhura të ulëta në vend.
Trump kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do të hiqte qafe Departamentin e Arsimit dhe do t’i transferonte burimet e tij tek shtetet, të cilat tashmë kanë pjesën më të madhe të përgjegjësive në këtë fushë.
Në hapin e parë drejt shpërbërjes së saj, ministria njoftoi të martën e kaluar, më 11 mars, shkarkimin e pothuajse gjysmës së stafit të saj.
Departamenti i Arsimit, i cili u krijua në 1979 nën Presidentin Jimmy Carter, nuk mund të shpërbëhet plotësisht nëse nuk miratohet një ligj me një supershumicë prej 60 vendesh në Senat, ku republikanët e Presidentit Trump aktualisht mbajnë 53 vende.
Shteti federal gjithsesi ka një rol të kufizuar, kryesisht në financimin dhe organizimin e sistemit arsimor amerikan. Por subvencionet e saj luajnë një rol vendimtar, veçanërisht për shkollat në zonat e pafavorizuara ekonomikisht dhe socialisht, si dhe për nxënësit që përballen me probleme.
Përpjekja për shfuqizimin e Departamentit të Arsimit po përballet me zemërim nga demokratët, sindikatat e mësuesve dhe shumë prindër, të cilët e shohin atë si një sulm të paprecedentë ndaj arsimit publik, shoqëruar me një përpjekje për të promovuar ide konservatore.
Një nismë e ngjashme për të çmontuar agjencinë federale për ndihmën e zhvillimit ndërkombëtar, USAID, u shpall “ndoshta” jokushtetuese nga një gjykatë federale një ditë më parë të martën.
Edhe para se të nënshkruhej, urdhri ekzekutiv po kundërshtohej nga një grup prokurorësh të përgjithshëm demokratë të shtetit, të cilët ngritën një padi për të parandaluar shpërbërjen e departamentit dhe për të anuluar pushimet nga puna të mijëra punonjësve të tij.
NAACP, një organizatë e fuqishme për të drejtat civile, foli gjithashtu kundër planit, të cilin e përshkroi si jokushtetues, duke e quajtur atë një “ditë të zezë” për miliona fëmijë në SHBA, të cilët “varen nga fondet federale për të pasur një arsim cilësor, veçanërisht në komunitetet e varfra ose rurale, me prindër që mund të kenë votuar për Trump”, siç theksoi presidenti i saj, Derrick Johnson.