Kryeministri portugez, Antonio Costa, ka thënë se Portugalia do t’i dërgojë Ukrainës disa tanke Leopard 2, pa e përmendur shifrën e saktë.
Sipas tij, Portugalia është në bisedime me Gjermaninë – vend prodhues i këtyre tankeve – për të siguruar pjesët e nevojshme që duhen për riparim të tankeve të dëmtuara Leopard që gjenden në inventarin e Portugalisë.
“Ne aktualisht jemi duke punuar për të eksportuar disa tanke”, ka thënë Costa për agjencinë e lajmeve Lusa.
“E di sa tanke do të dërgojmë, mirëpo kjo gjë do të bëhet publike në një kohë më të përshtatshme”.
Admirali António Silva Ribeiro, udhëheqës i forcave të armatosura portugeze, ka thënë muajin e kaluar se Portugalia ka 37 tanke Leopard 2, mirëpo në mediat lokale është raportuar se shumica prej tyre janë të dëmtuara.
Costa ka thënë se shpreson që riparimet të ndodhin shpejt, ashtu që tanket të dorëzohen në Ukrainë deri në fund të marsit.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë më herët gjatë javës se shteti i tij do të pranojë 120 deri në 140 tanke perëndimore, në “valën e parë” të dërgimit të tyre nga një koalicion prej 12 shtetesh.
Kievit i janë premtuar këto tanke për të luftuar pushtimin rus, i cili ka nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
GAZETARE: LIVIA KALLFA