Përkeqësohet shëndeti i Alexei Navalny, dyshohet se është helmuar

 

Alexei Navalny, politikani më i shquar i opozitës ruse, po përballet me një sëmundje misterioze në burg. Mediat shkruajnë se Navalny mund të jetë helmuar pasi shëndeti i tij në javët e fundit është përkeqësuar

Ai ka humbur 8 kilogram në pak më shumë se dy javë. Gjatë fundjavës së kaluar një ambulancë u thirr në koloninë penale të sigurisë maksimale IK-6 në Melekhovo, rreth 250 km në lindje të Moskës, ku ai po mbahet. Kohët e fundit ai ishte zhvendosur përsëri në izolim dhe ishte detyruar të duronte  kushte jashtëzakonisht të këqija.

Kira Yarmysh, zëdhënësja e tij, në Twitter  u shpreh se politikani i opozitës kishte shfaqur problem me stomakun. “Ne nuk përjashtojmë që Alexei Navalny po helmohet ngadalë, po vritet ngadalë në mënyrë që të tërheqë më pak vëmendje,” tha Yarmysh në postimin në Twitter. Ilaçet e dërguara në burgun e Navalny nga nëna e tij  u mblodhën nga zyrtarët e burgut dhe u kthyen.

Shërbimet shëndetësore si dhe autoritetet e burgut të cilët kanë mohuar akuzat se kanë keqtrajtuar Navalny dhe ka thënë se atij i është ofruar gjithmonë trajtim mjekësor kur është e nevojshme. Ish lideri i opozitës fillimisht u burgos për dy vjet e gjysmë për thyerjen e  lirimit me kusht, por më pas iu dha nëntë vjet shtesë për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës.

Qeveria gjermane gjithashtu ka shprehur shqetësim e saj  për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të Navalny teksa kërkoi që ai të kurohej dhe  t’i hiqej trajtimi çnjerëzor që ai po merr. Autoritetet ruse e shohin Navalny dhe mbështetësit e tij si ekstremistë me lidhje me agjencinë amerikane të inteligjencës CIA që synon të përpiqet të destabilizojë Rusinë.