Për herë të parë që prej vitit 1973, Izraeli shpall zyrtarisht gjendjen e luftës

Deri tani civilët kanë paguar çmimin më të lartë të luftës mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit. Mediat izraelite, duke cituar zyrtarë të ekipeve të shpëtimit, thanë se numri i të vrarëve në Izrael ka arritur në të paktën 500 persona, përfshirë 44 ushtarë.

Zyrtarët në Gaza thanë se 313 palestinezë kanë humbur jetën në konflikt, ndërsa sipas versionit zyrtar izraelit, ushtria kishte vrarë 400 militantë dhe kishte kapur dhjetëra të tjerë.

Kabineti i sigurisë i Izraelit deklaroi zyrtarisht gjendje lufte.

Ushtarët izraelitë vazhduan luftimet kundër militantëve të Hamasit në rrugët e Izraelit jugor të dielën dhe ndërmorën sulme kundërpërgjigjëse që rrafshuan ndërtesa në Gaza.

Në Izraelin verior një shkëmbim i shkurtër sulmesh me militantët e Hezbollahut të Libanit përshkallëzoi frikën për zgjerimin e konfliktit.