Parlamenti europian : Në pikëpyetje aftësia e Hungarisë për të mbajtur presidencën e rradhës
Parlamenti Evropian do të diskutojë aftësinë e Hungarisë për të mbajtur presidencën e rradhës të 27 vendeve të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm, duke përmendur problemet e vendit me sundimin e ligjit, tregoi një projekt-rezolutë parlamentare.
Një vend që mban presidencën e BE-së planifikon dhe kryeson takimet e ministrave dhe organeve përgatitore të qeverisë së BE-së dhe përfaqëson qeveritë e BE-së në marrëdhëniet me institucionet e tjera të BE-së dhe organizatat ndërkombëtare. Presidenca është përgjegjëse për drejtimin e punës mbi legjislacionin e BE-së, duke vepruar si një ndërmjetës i ndershëm dhe neutral, një kusht që Hungaria nuk do të jetë në gjendje ta përmbushë për shkak të konflikteve të shumta me BE-në, do të argumentojë parlamenti.
“Parlamenti vë në pikëpyetje sesi Hungaria është në gjendje ta përmbushë këtë detyrë në mënyrë të besueshme në vitin 2024 në funksion të mospërputhjes me ligjin e BE-së dhe vlerat e parashikuara në nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Evropian si dhe parimin e bashkëpunimit të sinqertë”. Draft-rezoluta do të miratohet më 1 qershor.
Sipas një kalendari të rënë dakord nga të gjitha qeveritë e BE-së në vitin 2016, Hungaria do të mbajë presidencën e bllokut midis korrikut dhe dhjetorit 2024. Hungaria ka qenë prej kohësh në mosmarrëveshje me BE-në për çështje të shumta, si sundimi i ligjit, korrupsioni në nivele të larta, mungesa e pavarësisë gjyqësore, shkelja e lirive akademike dhe të drejtat e LGBTQ. BE ka ngrirë miliarda euro fonde për Budapestin për shkak të shqetësimeve të saj.
Qeveria hungareze ka qenë në bisedime me BE-në për vite me radhë për këto çështje, por negociatat kanë bërë pak përparim. Vendimi nëse do të ndryshojë kalendarin e presidencave të BE-së për të shtyrë apo anuluar presidencën e Hungarisë është në duart e qeverive të tjera të BE-së.