Presidenti francez, Emmanuel Macron, nga Berlini ka bërë një parashikim të zymtë për të ardhmen e Europës, ndërkojë që në qershor mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian.
Gjatë takimit me homologun gjerman Frank Walter Steinmaier, Macron u shpreh se Europa është në rrezik dhe siguria e saj kërcënohet nga aktorët e jashtëm.
“Unë mendoj se ne po përjetojmë një moment në Evropën tonë që është ekzistencial, sepse unë besoj vërtet se Evropa jonë mund të vdesë.
Ekziston një formë magjepsjeje me autoritarizmin që lind tek vetë demokracitë tona e cila gjithashtu ushqen nacionalizmin dhe ekstremet e tjera në kontinentin tonë”, u shpreh Macron.
Emmanuel Macron i bëri komentet duke folur së bashku me Presidentin e Gjermanisë në vizitën e tij të parë tre-ditore shtetërore.
Macron kërkoi më tepër mbështetje për paqen dhe forcim të sovranitetit kombëtar. Gjatë vizitës së tij shtetërore në Gjermani, Emmanuel Macron i rezervoi fjalë të ngrohta mikpritësit e hodhi poshtë pretendimet se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë filluar të dobësohen.
“Të jesh në anën e paqes sot do të thotë t’i japësh forcë ligjit. Paqe, por jo kapitullim. Paqja nuk është braktisje e parimeve. Ne e kemi parë shumë shpesh këtë konfuzion në debatet kolektive. Paqe do të thotë t’i mundësosh një vendi të mbrojë kufijtë e tij dhe sovraniteti ndërkombëtar për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme.
Ne do të kishim braktisur mbështetjen ndaj Ukrainës kundër Rusisë, të cilën e mbështesin të gjithë nacionalistët në vendet tona. Dhe, për rrjedhojë, historia nuk do të kishte qenë e njëjtë”, tha Macron.