Parandalohet sulm me bombë në koncertin e Lady Gaga-s në Brazil, në rrezik mbi 2 milionë njerëz

Autoritetet braziliane kanë parandaluar një sulm me bombë të planifikuar për koncertin gjigant të Lady Gaga-s në plazhin Copacabana të Rio de Janeiros, ku ishin mbledhur mbi 2 milionë njerëz.

Sipas Policisë së Shtetit të Rio de Janeiros, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, një grup i organizuar kishte synuar të kryente një sulm me eksplozivë të improvizuar gjatë koncertit të këngëtares së njohur, me qëllim që të fitonte vëmendje në rrjetet sociale.

Në deklaratën zyrtare të publikuar në platformën X, policia bëri të ditur se personi përgjegjës për planin është arrestuar, ndërsa një adoleshent i përfshirë gjithashtu është vënë në pranga.

Koncerti, që u mbajt falas në një nga plazhet më të famshme në botë, ishte ngjarja më e madhe e karrierës së Lady Gaga-s dhe një nga koncertet më të mëdha në historinë e muzikës live, me mbi 2.1 milionë pjesëmarrës.