Papa Françesku largohet nga spitali pas 37 ditësh, ndihmohet me oksigjen

Papa Françesku është larguar nga spitali Gemelli në Romë për t’u kthyer në Vatikan pas 37 ditësh shtrimi. Para se të nisej, ai u shfaq në dritaren e spitalit për të përshëndetur besimtarët, duke dhënë bekimin e tij me shenjën e kryqit.

Ati i Shenjtë u pa i ulur në një karrige me rrota, i veshur me rrobat e tij të bardha papale. Zëri i tij ishte më i përmirësuar krahasuar me regjistrimin e fundit ku ai kishte falënderuar besimtarët për mbështetjen e tyre.

Mjekët konfirmuan se gjatë qëndrimit në spital, Papa nuk ka qenë asnjëherë i intubuar, edhe pse pati dy episode kritike që e vunë jetën e tij në rrezik. Në momentin e largimit, ai mbante në hundë një tub oksigjeni për ta ndihmuar me frymëmarrjen. Sipas mjekëve, e presin dy muaj rikuperimi.