Orban: Trump kthehu, bëje Amerikën sërish të madhe
Udhëheqësi hungarez Viktor Orbán ka bërë thirrje për kthimin e Donald Trump, duke pretenduar se populizmi në mbarë botën është në rritje. Gjatë një fjalimi para republikanëve amerikanë dhe aleatëve të tyre evropianë në Budapest, Orban sulmoi liberalizmin si një virus dhe deklaroi se vendi i tij është model për botën.
“Jam i sigurt se nëse presidenti Trump do të ishte sërish president, nuk do të kishte luftë në Ukrainë dhe Evropë. Kthehu, zoti President. Bëje Amerikën sërish të madhe dhe na sill paqe,” u shpreh kryeministri hungarez.
Vendi ku u mbajt konferenca ishte mbushur me mesazhe që i bënin jehonë kësaj teme. Kryeministri hungarez deklaroi se konservatorët kanë pushtuar strehë të mëdha evropiane, të cilat ai i renditi si Budapest, Varshavë, Romë dhe Jerusalemin.
“Hungaria është një inkubator ku po testohen politikat konservatore të së ardhmes”, tha Orbán. Disa të ftuar mbërritën me bluza që shfaqnin Orbanin dhe Trumpin së bashku si “paqebërës” dhe “shpëtimtarë të botës”. Motoja e ngjarjes 2023 ishte “Të bashkuar qëndrojmë”.
Gjithashtu gjatë konferencës u shfaq një video 25 sekondash nga Tucker Carlson, një admirues i zjarrtë i Orbanit. Shumica e gazetarëve të pavarur iu refuzua akreditimi për këtë ngjarje, në një vend ku Instituti Ndërkombëtar i Shtypit ka thënë se liria e medias mbetet në nivelet më të ulëta. Gjatë shpërthimit të Covid, qeveria e Orbanit miratoi një ligj që vendos dënime me burg deri në pesë vjet për përhapjen e dezinformatave. Gazetarët hungarezë thonë se ligji po përdorej për t’u mohuar aksesin në informacion.