OKB: Sulmi i paralajmëruar i Izraelit në Rafah nuk duhet lejuar të ndodhë

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha sot se një sulm izraelit në qytetin kufitar Rafah të Gazës nuk mund të lejohet të ndodhë sepse do të shkaktonte një humbje masive të jetëve palestineze.

“Nëse Izraeli do të nisë sulmin e kërcënuar ushtarak në Rafah, ku 1.5 milionë njerëz janë zhvendosur në kushte të mjerueshme, çnjerëzore, çdo sulm tokësor në Rafah do të shkaktonte humbje masive të jetëve dhe do të rriste rrezikun e krimeve të mëtejshme mizore”, tha Jeremy Lawrence, përfaqësues i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Duke sfiduar thirrjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund operacionit ushtarak të Izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu tha të enjten se Izraeli do të vazhdojë me ofensivën e tij kundër lëvizjes islamike palestineze Hamas që sundon Gazën, përfshirë Rafahun, të cilin ai e quajti “bastioni i fundit i Hamasit”.

Rreth 1.5 milionë njerëz vlerësohet të jenë të grumbulluar në Rafah, skaji më jugor i enklavës në kufirin me Egjiptin, ku shumica e tyre janë larguar nga shtëpitë e tyre më në veri për t’i shpëtuar sulmit të Izraelit.