OKB: Sudani drejt katastrofës humanitare

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje të mërkurën për dhënien fund të luftimeve në Sudan dhe për mbështetje ndërkombëtare për popullin sudanez, për të cilin tha se po përballet me një katastrofë humanitare.

“Ndihmat duhet të lejohen në Sudan, dhe na duhet qasje e sigurtë dhe e menjëhershme për të qenë në gjendje që t’i shpërndajmë ato për njerëzit që kanë më shumë nevojë”, tha zoti Guterres gjatë një konference për shtyp në Najrobi, të Kenias. “Civilët dhe infrastruktura civile duhet të mbrohen, dhe punonjësit e ndihmave dhe mjetet e tyre duhet të respektohen”.

Ministria e Shëndetësisë e Sudanit thotë se mbi 500 persona janë vrarë dhe rreth 5,000 janë plagosur që nga fillimi i luftimeve më 15 prill, gjatë një lufte për pushtet mes drejtuesve të forcave qeveritare sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë. Agjencia e OKB-së e Emigracionit (IOM) tha këtë javë se të paktën 334,000 persona janë zhvendosur brenda vendit nga luftimet, krahas 100,000 të tjerëve që kanë ikur nga vendi. Agjencia e OKB-së për refugjatët ka paralajmëruar se luftimet mund të shkaktojnë që më shumë se 800,000 njerëz të largohen nga vendi verilindor i Afrikës.

Shefi i OKB-së shprehu shqetësimin se armëpushimet e mëparshme janë shkelur vazhdimisht dhe ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë trysni ndaj dy gjeneralëve që të respektojnë dhe të zbatojnë marrëveshjen. Presidenti i Sudanit të Jugut Salva Kiir theksoi rëndësinë e një armëpushimi më të gjatë dhe caktimin e të dërguarve për bisedimet e paqes, për të cilat të dyja palët ranë dakord.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi tha se qeveria e tij do të mbështesë bisedimet në Sudan midis fraksioneve rivale, duke shtuar se ai “është i kujdesshëm që të mos ndërhyjë në çështjet e tyre të brendshme”. Drejtuesi i operacioneve humanitare të OKB-së, Martin Griffiths e kaloi të mërkurën në Port Sudan – qytetin sudanez në Detin e Kuq, ku OKB-ja dhe shumë organizata joqeveritare kanë zhvendosur operacionet e tyre nga Khartumi.

Martin Griffiths duke folur nga Port Sudan (3 maj 2023)

“Do të na duhet të kemi marrëveshje në nivelin më të lartë dhe shumë publikisht, dhe do të na duhet t’i përkthejmë ato angazhime në struktura lokale tek të cilat mund të mbështetemi”, tha ai, duke theksuar se komuniteti humanitar po vazhdon dhënien e ndihmave. Shumica e operacioneve të ndihmave janë pezulluar ose pakësuar shumë për shkak të pasigurisë. Disa punonjës të ndihmave janë vrarë në luftime. Këshilli Norvegjez i Refugjatëve tha të mërkurën se një nga vullnetarët e tyre sudanezë u vra të dielën në qytetin e paqëndrueshëm të Geneinas, në Darfurin Perëndimor.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) tha  se gati 17,000 tonë ushqime ishin vjedhur nga magazinat e tyre në të gjithë Sudanin dhe po punonte për të përcaktuar se çfarë furnizimesh kanë mbetur. Para luftimeve, WFP-ja kishte mbi 80,000 tonë rezerva në vend. Agjencia ende synon të sigurojë ndihma ushqimore për 384,000 persona në ditët në vijim.