OKB: Ndotja me plastikë mund të zvogëlohet për 80% me riciklim dhe ripërdorim
Ndotja me plastikë mund të zvogëlohet për 80 për qind, deri më 2040, nëse shtetet dhe kompanitë hartojnë politika dhe bëjnë ndryshime në tregje, ka thënë Programi i Kombeve të Bashkuara për Ambient (UNEP).
Për të arritur në atë pikë, OKB-ja ka thënë se duhet të punohet më shumë në ripërdorim, riciklim dhe riorientim të produkteve të plastikës. Sipas ekspertëve të OKB-së, kjo nënkupton që qeveritë duhet të promovojnë shishe që rimbushen, dhe skema të rikthimit të produkteve të plastikës. Mes tjerash, ata kanë thënë se ndotja me plastikë mund të ulet, edhe nëse riciklimi bëhet më i qëndrueshëm dhe profitabil.
Shefja ekzekutive e UNEP-it, Inger Andersen, ka thënë se mënyra sesi prodhojmë, përdorim dhe e hedhim plastikën, është duke ndotur ekosistemet, po krijon rreziqe për shëndetin e njeriut dhe po e destabilizon klimën. Raporti i kësaj agjencie, që flet për mënyrat e dhënies fund të përdorimit të plastikës, është publikuar pas një rundi të dytë të negociatave në Paris, ku është analizuar trendi global për të luftuar ndotjen me plastikë.