OKB bën thirrjen e fortë: Dërgoni ndihma në Gaza, fëmijët po vdesin nga uria

Përballë katastrofës humanitare që po ndodh në Gaza, OKB-ja i bëri thirrje sot edhe një herë bota të “përmbytë” rajonin me ndihma për të shpëtuar fëmijët që po vdesin nga uria, pasi një delegacion vizitoi dy spitale për herë të parë që nga fillimi i luftës në tetor.

“Fëmijët kanë filluar të vdesin nga uria (…) ky nuk duhet të jetë një paralajmërim i rrezikut si të tjerët”, tha sot Jens Lerke, zëdhënës i Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

Organizata Botërore e Shëndetësisë foli për skena alarmante të fëmijëve të uritur pasi shpërndau ndihma në dy spitale në Rripin verior të Gazës fundjavën e kaluar për herë të parë që nga tetori.

Mjekët në Spitalin Kamal Adwan, spitali i vetëm pediatrik i Gazës veriore, i thanë ekipit të OKB-së se “të paktën dhjetë fëmijë vdiqën nga uria”, tha Ahmed Dahir, kreu i misionit, në një konferencë shtypi.

Që atëherë, ministria e shëndetësisë e Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, ka thënë se numri i fëmijëve që kanë vdekur në spital nga kequshqyerja dhe dehidrimi ka arritur në 15 dhe se gjashtë foshnja që vuajnë nga kequshqyerja akut janë në rrezik të lartë.

“Nëse jo tani, kur do të jetë koha (…) për të mbushur Gazën me ndihmën që i nevojitet? Kjo është ajo që ne duhet të shohim të ndodhë”, theksoi Lerke.